Bruksel, 16 dhjetor 2024 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje të hënën që përgjegjësit e sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës muajin e kaluar, të sillen para drejtësisë.
“Sulmi në kanalin ujor në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizon se sa i brishtë është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, në Bruksel.
Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut – prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Autoritetet kosovare janë duke e hetuar shpërthimin, për të cilin e akuzojnë Serbinë.
Serbia i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se edhe vetë ajo po e heton këtë sulm.
Rutte e tha se “tani është thelbësore që të nxirren faktet” rreth sulmit dhe përgjegjësve të mundshëm.
Ai theksoi se dëshiron ta falënderojë komandantin e KFOR-it për “dislokim të shpejtë” të trupave për të mbrojtur infrastrukturën kyçe të Kosovës.
“Mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që KFOR-i të përmbush mandatin e tij të OKB-së”, theksoi Rutte.
KFOR – i cili ka rreth 4.700 ushtarë – është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Javën e kaluar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, por shtoi se “ne mendojmë se do të gjenden prova”.
Hovenier e përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se Qeveria amerikane “nuk është në gjendje të thotë se kush është përgjegjës”.
Ekspertët ligjorë dhe të sigurisë thonë se përcaktimi i saktë i përgjegjësisë për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit është kritik, duke shtuar se përfshirja ndërkombëtare, sidomos e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, do ta rriste besueshmërinë e hetimeve, por do të ndihmonte edhe në uljen e tensioneve.
Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, tha për Radion Evropa e Lirë se mbështet idenë e një hetimi të tillë, në mënyrë që “situata të mos përshkallëzohet në diçka shumë më serioze”.
“Mënyra më e mirë për të dalë nga kjo rrugë pa krye, është që të bëhet një vlerësim i pavarur, faktik dhe objektiv i asaj që ka ndodhur”, tha Ellis për Exposenë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Derisa furnizimi i KEK-ut me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua, shpërthimi shkaktoi reduktime të përkohshme të ujit në disa pjesë të vendit.