Sa banorë kanë mbetur në Shqipëri? Shtyhet Censii i Popullsisë dhe Banesave

Tiranë, 26 gusht 2022 – Instituti i Statistikave (INSTAT), njofton shtyrjen e aktivitetit të grumbullimit të të dhënave në terren të Censit të Popullsisë dhe Banesave për vitin e ardhshëm.

“Në kushtet e mossigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren, është i pamundur realizimi i këtij aktiviteti. Instituti i Statistikave mbetet i vendosur në objektivin e tij për të kryer Censin e Popullsisë dhe Banesave në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe Zyrës Statistikore të Bashkimit Evropian (Eurostat)”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kjo është hera e dytë që shtyhet zhvillimi i Censit. Herën e parë shtyrja u bë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Më pas, INSTAT vendosi që në 1 tetor të këtij viti do të niste zyrtarisht Censi i Popullsisë, për të cilin gjatë vitit 2021 u zhvilluan hallkat e nevojshme të parapërgatitjes.

Në raportin vjetor të INSTAT thuhej se ky Cens parashikohej të zgjaste 6 javë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 do të finalizoheshin të gjithë materialet e nevojshme për realizimin e Censit në Tetor 2022, si dhe do të vijonte puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censit dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse.

Sa banorë kanë mbetur në Shqipëri?

Zyrtarisht sipas INSTAT, në janar të vitit 2022, popullsia banuese e Shqipërisë ishte rreth 2.8 milionë banorë, nga 2.9 milionë banorë që ishte në vitin 2011 kur u bë dhe Censi i fundit i popullsisë.

Vitet e fundit shtesa natyrore e popullsisë ka shkuar drejt zeros për shkak të rritjes së vdekjeve dhe rënies së lindjeve. Duke i shtuar kësaj dhe ritmet e larta të emigracionit, cikli i të cilit ëhstë rigjallërua vitet e fundit, askush nuk e di se sa është numri real i banorëve që kanë mbetur aktualisht në Shqipëri.

Mesatarisht sipas INSTAT, emigracioni neto ka qenë rreth 30-50 mijë persona që largohen gjatë dekadës së fundit.

(Monitor.al)