Autoritetet kompetente në Prishtinë, kishin premtuar se në pranverë të këtij viti të fillojë ndërtim i autostradës Prishtinë – Shkup, por që ende nuk është zgjedhur as kompania fituese, për të cilën shpresohej se do të zgjidhej në muajin mars.
Madje, edhe pse projekti është gati i finalizuar, asnjëherë nuk është bërë i ditur sa kushton ndërtimi i kësaj autostrade.
Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se kanë një kosto të përafërt të çmimit, por që nuk mund të bëhet publik për shkak të, siç kishte thënë, procesit dhe ndjesisë së projektit.
Por, ekspertë të infrastrukturës rrugore kërkojnë nga autoritetet kompetente që të jenë transparentë në projektet e mëdha, duke bërë publike shumën e nevojshme të mjeteve materiale.
Kaqusha Jashari, ish-udhëheqëse në Drejtorinë e Rrugëve të Kosovës, shprehet se është obligim i ekzekutivit që të tregohet çmimi i projektit, pasi, sipas saj, me finalizimin e projektit, definohet edhe pjesa financiare.
“Patjetër duhet të dihet, sepse është planifikimi buxhetor dhe paguhet nga buxheti, kur të bëhet finalizimi, bëhet edhe kostoja. Unë mendoj se te ne nuk janë transparente as çmimi, as kushtet tjera”.
“Përgjegjësia për paratë e taksapaguesve dhe angazhimin e mjeteve është obligim i Qeverisë ose organit kompetent, të jenë të hapur dhe transparentë dhe të gjithë të dinë sa po shkojnë dhe ku po shpenzohen. Fshehtësi këtu nuk ka dhe nuk duhet të ketë”, thotë Jashari.
Edhe Selman Buçolli, ekspert i ndërtimtarisë, thotë se është interes shoqëror dhe publik që të bëhet publik çmimi i projektit.
“Procedurat ligjore duhet të përmbushen që të jenë transparente, edhe konkursi edhe kontrata duhet të jenë transparente, pasi është një punë voluminoze. Është në interes shoqërore dhe publik që të jenë transparentë. Nuk e di as unë sa do të kushtojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup”, shprehet Buçolli.
Megjithatë, Kaqusha Jashari, thotë se ky veprim, lë hapësirë për dyshime, se po ndodh për shkak të interesave të caktuara.
“Aty ka interesa edhe tjera, përpos të pushtetit. Unë nuk kam argumente të them se a ekzistojnë keqpërdorime, por gjithçka që është e mbyllur, lë hapësirë për dyshime. Ky projekt është aq madhor, i cili kërkon transparencë të madhe ashtu siç kërkon autostrada Kosovë- Shqipëri”, konsideron Jashari.
Projekti për realizimin e rrugës së 6, Prishtinë – Hani i Elezit, është prezantuar në vitin 2010.
Ndërkaq, që nga kjo periudhë, shoqata të ndryshme joqeveritare kanë vlerësuar se projekti do të kushtojë nga 500 deri në 800 milionë euro.
Sipas projektit të prezantuar, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash dhe do të ketë dy tunele. (rel)