Salih Mustafa – Cali dënohet me 26 vjet burgim për krime lufte

Hagë, 26 dhjetor 2022 – Sali Mustafa, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Komandant Cali”, u shpall fajtor dhe u dënua me 26 vjet burgim, për krime lufte në Kosovë.

Mustafa u dënua me 10 vjet burgim për ndalim arbitar, me 22 vjet burgim për torture dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme, dënime këto që iu njësuan në 26 vjet burgim.

Në këtë dënim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale e shpalli z. Mustafa fajtor për veprat penale “krime lufte” dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktgjykimit, z. Mustafa, komandant i njësisë së UÇK-së BIA, dhe drejtues i kampit të ndalimit në Zllash, në rajonin e Prishtinës, me veprimet e mosveprimet e tij, ishte fajtor për veprat penale “ndalim arbitrar”, “torturë”, “plagosje” dhe “vrasje të paligjshme”.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Ajo tha se trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializar, pasi i ka vlerësuar si të besueshme, si edhe prova të tjera se ato ishin “të qarta dhe koherente”.

Gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia tha se trupi gjykues i ka vlerësuar të pabesueshme dëshmitë e dëshmitarëve të mbrotjes pasi a konstatuar se këta dëshmnitarë kishin “lidhje të ngushta” të tyre me z. Mustafa.

“Trupi gjykues konstatoi se Prokurori i Specializuar ka vërtetuar jashtë dyshimit të bazuar se është kryer krimi i luftës “ndalim arbitrar” kundër të paktën 6 personave, në kompleksin në Zllash, në prill 1999”, tha ajo.

““Të ndaluarve nuk iu ofrua ndihmë mjekësore dhe nuk iu lejua të flisnin me njëri-tjetrin. Ata u morën në pyetje ashpërsisht dhe u akuzuan si spiunë, tradhtarë, bashkëpunëtorë të serbëve, hajdutë… Ata u urdhëruan të shprehnin mbështetje për UÇK-në”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Trupi gjykues ka konstatuar se Mustafa dhe varësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha fizike e psikike të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash, me qëllim të marrjes së informatave apo deklaratave pranuese”, shpjegoi ajo.

Ajo tha se trupi gjykues, në bazë të dëshive dhe të provave, ka konstatuar se njëri prej të ndaluarve është gjetur i vdekur më vonë.

“Provat vërtetuan se vdekja, keqtrajtimet dhe refuzimi i trajtimit shëndetësor janë jasojë e veprimit ose mosveprimit të z. Mustafa dhe vartësve të tij”, tha kryetarja e trupit gjykues.

“Trupi gjykues konstatoi se Mustafa kishte synim ta vriste viktimën”, theksoi ajo.

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator të vitit 2021. Në process kanë marrë pjesë tetë viktima, të gjithë nën masa mbrojtëse.

(r.m.)