Londër, 17 maj 2023 – Shkrimtari i njohur Salman Rushdie mbajti një fjalim publik, nëntë muaj pas sulmit me thikë, duke paralajmëruar se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënimin më të rëndë ndonjëherë.
Zoti Ruzhdie foli përmes një mesazhi me video gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të librit britanik, ku ai mori çmimin “Freedom to Publish” mbrëmjen e së hënës.
“Ne jetojmë në një moment, mendoj unë, në të cilin liria e shprehjes, liria e botimit në Perëndim nuk ka qenë nën një kërcënim të tillë në jetën time”, tha Rushdie.
“Ndërsa jam në Shtetet e Bashkuara, kemi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët. Vetë idea ndaj sulmit të bibliotekave është jashtëzakonisht alarmante, dhe duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe të luftojmë fuqishëm kundër këtij fenomeni”, shtoi ai.
Rushdie dukej më i dobësuar se para sulmit dhe mbante syze me një xham me ngjyrë. Pas sulmit me thikë në qytetin e Nju Jorkut në muajin gusht, zoti Rushdie humbi shikimin në syrin e djathtë dhe pësoi dëmtime nërvore në dorë.
Organizatorët thanë se çmimet vlerësojnë vendosmërinë dhe qëndrimin e autorëve, botuesve dhe librashitësve kundër intolerancës, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballen.
Salman Rushdie kaloi vite të tëra në fshehtësi nën mbrojtjen e policisë pasi Ajatollahu Ruhollah Khomeini i Iranit lëshoi një dekret në vitin 1989 me thirrjen për vdekjen e tij lidhur me publimin e romanit “Vargjet Satanike”.
Gradualisht ai iu rikthye jetës publike pasi qeveria iraniane u distancua nga urdhri në vitin 1998, duke thënë se nuk do të mbështeste asnjë përpjekje për të vrarë zotin Rushdie, megjithëse dekreti nuk u shfuqizua kurrë zyrtarisht.
I dyshuari për sulmin, Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për sulm dhe tentativë për vrasje.
Zoti Rushdie fitoi çmimin Booker në vitin 1981 me romanin “Midnight’s Children” (Fëmijët e Mesnatës) dhe në vitin 2008 u votua si fituesi më i mirë ndonjëherë i çmimit prestigjioz të letërsisë artistike. Romani i tij më i fundit, “Victory City” (Qyteti i Fitores), i përfunduar një muaj para sulmit, u botua në shkurt.
(Sipas Zërit të Amerikës)