Samiti BE-Ukrainë do të mbahet këtë javë në Kiev

Kiev, 1 shkurt 2023 – Kryeministri i Ukrainës tha se samiti Ukrainë-Bashkimi Evropian do të mbahet të premten.

“Samiti Ukrainë-BE do të mbahet në Kiev më 3 shkurt”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, gjatë takimit të Qeverisë të martën.

Ai tha se kjo ngjarje është “një jashtëzakonisht e rëndësishme” për synimin e Ukrainës që të anëtarësohet në bllokun evropian.

“Fakti që ky samit do të mbahet në Kiev është një sinjal i fuqishëm edhe për partnerët, edhe për armiqtë”, theksoi Shmygal.

Ai tha se fakti që ky samit i profilit të lartë do të mbahet në kohën kur po vazhdon lufta, është dëshmi për Rusinë se përpjekjet e saj për të ndjellë mosmarrëveshje midis aleatëve perëndimorë të Kievit dhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në BE kanë qenë të kota.

Kryeministri ukrainas tha se edhe një ngjarje kyçe do të zhvillohet të enjten, kur konsultimet midis Qeverisë së Ukrainës dhe Komisionit Evropian do të mbahet “për herë të parë në historinë tonë”.

Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ende detaje se kush do të marrë pjesë në këtë samit.

Ukraina ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE qershorin e vitit të kaluar.

Shtetet e BE-së e kanë mbështetur me vendosmëri Ukrainën, duke goditur Rusinë me një valë sanksionesh ekonomike dhe me fuurnizimin e Ukrainës me  armë.

(r.m.)