Tiranë, 22 korrik 2022 – Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) njoftuan se Samiti Botëror i Iranit të Lirë, i cili ishte planifikuar të mbahet më 23 dhe 24 korrik në kampin e muxhahedinëve “Ashraf 3’, në Shqipëri, është shtyrë për afat të pacaktuar.
NCRI njoftoi se shtyrja e samitit u bë me rekomandime të qeverisë shqiptare, siç thuhet, “për arsye sigurie dhe për kërcënime terroriste e komplote”.
Vendimi për shtyrjen e samitit erdhi pas paralajmërimit të ambasadës amerikane në Tiranë se qeveria amerikane ka informacion se kjo ngjarje mund të përballej me ndonjë kërcënim për sigurinë.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm, i cili ka në shënjestër takimin botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”, thuhej në deklaratën e ambasadës, ku shtetasit amerikanë udhëzoheshin ta shmangin vendin ku do të mbahej samiti.
Security Alert – Threat Targeting the Free Iran World Summit 👉 https://t.co/VPmqYCiNAl pic.twitter.com/iuxHLtNPfo
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) July 21, 2022
Autoritetet e Shqipërisë nuk e kanë komentuar ende nëse bëhet fjalë për të njëjtin kërcënim specifik.
Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare urdhëruan dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët u shpallën persona të padëshiruar, pasi një prej tyre dyshohej se ishte anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane.
Kampi Ashraf pranë Durrësit u vizitua një muaj më parë nga ish-nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ndërsa në muajin maj këtë kamp e kishte vizituar edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Në samit ishte paraparë të merrnin pjesë qindra politikanë dhe deputetë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut dhe më gjerë. Po ashtu, ishte paraparë që mijëra iranianë t’i bashkoheshin ngjarjes, përmes platformave online.
Organizatorët e samitit, NCRI dhe MEK, avokojnë për përmbysjen e Qeverisë së Iranit.
Në Shqipëri, prej vitit 2016, strehohen rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK.
(r.m.)