Rusia tashmë ka filluar të paguajë çmimin e agresionit ndaj Ukrainës, të nisur mëngjesin e 24 shkurtit.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Disa banka ruse janë bllokuar në sistemin bankar, SWIFT, hapësira ajrore e Bashkimit Evropian është e ndaluar për avionët në pronësi ruse, Gjermania ka ndërprerë procesin e certifikimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”.
Po ashtu janë sanksionuar shumë oligarkë rusë. Në listën e sanksioneve të BE-së, janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Sanksioneve kundër Rusisë u janë bashkuar edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 25 shkurt se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për momentin, sepse ajo “udhëhiqet nga interesat e saj jetike, ekonomike dhe politike”.
Po ashtu, Vuçiq ka thënë se Serbia ka thënë se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
Të njëjtën ditë, Kosova vendosi për sanksione kundër Rusisë.
Në pakon e sanksioneve përfshihet ngrirja e aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për pushtim rus në Ukrainë.
Sanksione kundër Rusisë ka vendosur edhe Shqipëria. Aeroplanët rusë nuk mund të fluturojë në qiellin e Shqipërisë, pasi që Tirana ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjithë operatorët rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, në kuadër të sanksioneve që i ka vendosur Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë.
Po ashtu, sanksionet përfshin 654 individë dhe 52 subjekte si dhe po ashtu është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin e Shqipërisë për personat e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Sanksionet ekonomike të autoriteteve shqiptare për Rusinë përfshijnë masa kufizuese në financa, energji dhe teknologji.
Përpos sanksioneve ekonomike, Shqipëria nuk do të luajë asnjë ndeshje sportive kundër Kombëtares së Rusisë, me të cilën kishte një ndeshje të programuar në qershor të këtij viti.
Edhe Kroacia vendosi që të mbyllë hapësirën ajrore kroate për avionët e kompanive ruse, derisa ka përkrahur sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë.
Maqedonia e Veriut ka ndaluar fluturimet nga Rusia. Shkupi po ashtu i është bashkuar vendimeve të BE-së për masat kufizuese për një numër të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në agresionin ndaj Ukrainës.
Ndërkaq, ministri i jashtëm malazez, Gjorgje Raduloviq tha se “Mali i Zi si anëtar i NATO-s do të mbështesë të gjitha prioritetet e politikës së jashtme”.
Përkrahja humanitare dhe ushtarake
Ndonëse nuk e dënoi agresionin rus në Ukrainë dhe nuk vendosi sanksione, Serbia si shumë vende tjera, ka hapur dyert për të pritur refugjatë ukrainas.
Qendra joqeveritare për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Azilkërkuesve, ka njoftuar se në Serbi aktualisht ka vende për pritjen e rreth 6,000 personave, ndërsa kjo organizatë pret mbërritjen e mbi 10,000 refugjatëve nga Ukraina.
Sipas ligjeve aktuale, qytetarët e Ukrainës mund të qëndrojnë në Serbi për një muaj pa viza.
Edhe Kosova është deklaruar se do të pranojë refugjatë.
E gatshme për të pranuar refugjatë nga Ukraina është shprehur edhe Shqipëria.
Disa ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se janë të gatshëm të presin qytetarët ukrainas, njëjtë sikurse priten edhe refugjatët nga Afganistani.
Ndërkohë, Kroacia ka njoftuar më 28 shkurt se do të dërgojë pajisje ushtarake në Ukrainë.
“Bëhet fjalë për pajisje mbrojtëse, por edhe për disa pajisje të tjera, për t’iu përgjigjur kërkesës së Ukrainës”, tha kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq.
Po ashtu, Maqedonia e Veriut do të ofrojë ndihmë për Ukrainën, që përfshin ndihmë ushtarake dhe humanitare, pajisje mjekësore, derisa operatorëve kabllovik u ka rekomanduar ndërprerjen e transmetimit të mediave ruse.
Kanalet ruse i ka larguar nga transmetimi edhe Kosova.
Mediat që promovojnë politikat zyrtare të Kremlinit – si Russia Today (RT), Sputnik dhe filialet e tyre, janë ndaluar në Bashkimin Evropian që nga 27 shkurti.
(Taulant Qenaj, REL)