Uashington, 25 shkurt 2022 – Presidenti Joe Biden dënoi atë që e quajti një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ushtarak ndaj Ukrainës dhe vendosi një raund tjetër sanksionesh ndaj Moskës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, NATO ka vendosur në gatishmëri të lartë rreth 150 mijë forca ushtarake dhe udhëheqësit e NATO-s marrin pjesë sot në një takim virtual për të diskutuar hapat e mëtejshme.
Kievi vazhdoi të goditet të premten nga raketat, ndërsa një pjesë e popullsisë është strehuar në tunelet e sistemit hekurudhor të kryeqytetit. Autoritetet thanë se forcat ruse janë afruar dhe synojnë rrëzimin e qeverisë ukrainase.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje qytetarëve të marrin armët. Ai bisedoi të enjten me Presidentin Joe Biden, i cili u koordinua me udhëheqësit e G-7ës për të vendosur sanksione të reja ndaj Moskës.
“E kemi parë tashmë ndikimin e veprimeve tona tek monedha ruse që ra sot në nivelin më të ulët historik. Bursa ruse pati rënie të thellë dhe interesi për huamarrjen nga qeveria ruse u rrit me 15%”, tha Presidenti Biden.
Paketa më e fundit përmban sanksione për elitat ruse, borxhin kombëtar dhe 13 korporata ruse, kufizime ndaj eksporteve të teknologjisë amerikane për ushtrinë ruse, si dhe sanksione ndaj institucioneve kryesore financiare të Rusisë.
“Dy bankat më të mëdha shtetërore, Sberbank dhe VTB, janë më thelbësoret dhe më të ndërlidhurat me sistemin financiar rus. Prandaj mendoj se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të përfshiheshin në sanksione këto dy banka që menaxhojnë shumicën e transaksioneve në dollarë të vendit”, thotë Heidi Crebo-Rediker, nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë.
Sanksione iu vendosën edhe Bjellorusisë, një vend aleat i Kremlinit që zhvilloi stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë për t’i ushtruar presion Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate nuk vendosën ta përjashtojnë Moskën nga sistemi bankar SWIFT, një rrjet financiar kyç që ndërlidh mijëra banka në mbarë botën dhe nuk vendosën sanksione ndaj zotit Putin personalisht. Sidoqoftë, këto opsione janë ende të mundshme.
69% e amerikanëve mbështesin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, sipas një ankete të agjensive Reuters dhe Ipsos.
Megjithatë, 62% e amerikanëve janë kundër dërgimit të forcave amerikane për të mbrojtur Ukrainën, gjë për të cilën Presidenti Biden është zotuar se nuk do të ndodhë.
“Pavarësisht nga fakti se sa jorealiste mund të ketë tingëlluar për udhëheqësit perëndimorë mbrojtja e Ukrainës nëpërmjet forcës së drejtpërdrejtë ushtarake, ishte i panevojshëm reklamimi i faktit se nuk e kishin këtë vullnet”, thotë Keir Giles, organizata “Chatham House”.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara dërguan 7 mijë forca ushtarake në Gjermani në formë garancie për vendet aleate në NATO, krahas mijëra forcave të tjera të dislokuara rishtazi në Poloni dhe Rumani.
Ndërkaq, mbi 100 avionë luftarakë të NATO-s dhe rreth 150 mijë forca janë vendosur në gatishmëri të lartë.
(Zëri i Amerikës)