Prishtinë, 15 shtator 2022 – Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë më të suksesshëm Procesin e Berlinit.
Një ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, Sarrrazin ka thënë gjithashtu se Budestagu gjerman e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Dje u takova me Albin Kurtin në Prishtinë. Gjithmonë është mirë të jesh në Kosovë dhe të flasësh me të si mik e partner. Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë të suksesshëm Procesin e Berlinit. Bundestagu gjerman mbështet dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Mirosllav Lajçak. Në të gjitha mënyrat”, ka shkruar Sarrazin në Twitter.
Yesterday I met with @albinkurti in #Pristina. Always great to be in #Kosova and to talk with him as a friend and partner. #Germany and #Kosovo want to make the #BerlinProcess successful. @BundesregDE supports the #EU led dialogue and @MiroslavLajcak by all means. @GERonWEB https://t.co/L8KAYwKQzy
— Manuel Sarrazin (@ManuelSarrazin) September 15, 2022
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se Kryeministri Kurti e ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë. Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Kosovës nga Gjermania.
“Ai vlerësoi angazhimin e Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. U bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, Kurti ka shprehur qëndrimin tashmë të njohur sa i përket procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Kurti theksoi se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë”, thuhet në njoftim.
Ai ka ritheksuar se qëllim i dialogut duhet të jetë “arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”.
(r.m.)