Sarrazin: Nuk do të japim karamele në këmbim të pranimit të Procesit të Berlinit

Berlin, 15 tetor 2024 – Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka cilësuar lëvizje pozitive vendimin e Kosovës për heqjen e njëanshme të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës nga janari i vitit që vjen.

Ai tha se shpreson që përfaqësuesit e Republikës Sërpska do të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë, të nënshkruar nga përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e Procesit të Berlinit, dy vjet më parë.

“Është pozitive dhe lëvizje e mirë nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët e Bosnjës të lëvizin lirshëm në Kosovë. Ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit dhe shpresoj që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen rreth atyre që promovon Procesi i Berlinit”, tha Sarrazin në një konferencë online për gazetarë.

Sarrazin tha se vendeve të rajonit u është bërë e qartë nuk do të përfitojë nga Procesi i Berlinit, në qoftë se nuk i zbaton marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të këtij procesi.

“E kemi bërë të qartë se kjo për neve është e domosdoshme dhe po ashtu Komisioni Evropian dhe partnerët tjerë evropianë kanë bërë përpjekje për ta finalizuar këtë. Por, po ashtu ua kemi bërë të qartë se nuk do të japim karamele për këtë”, është shprehur ai, citon RTK

Sarrazin ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do t’i bëjë asnjë favor Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, për të ratifikuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me Kosovën.

“Mendoj se çdo qytetar në Kosovë e kupton se nuk do t’i japim karamele Dodikut për ta kryer këtë”, është shprehur Sarrazin.

(r.m.)