Sarajevë, 28 tetor 2021 – “Bosnje e Hercegovina përbëhet nga entitetet dhe e tillë do të mbetet, sepse ato janë pjesë e integritetit territorial, të përshkruar me Marrëveshjen e Dejtonit”, tha përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.
Schmidt, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, iu drejtua të enjten për herë të parë Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.
Ai tha se është e qartë se “askush nuk ka interes ta kthejë kohën pas” dhe se “komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë anash”.
Komentet vijnë pasi Republika Sërpska e Bosnjës – entitet i banuar me shumicë serbe – është kërcënuar me ndarje.
Ky entitet, mes tjerash, e ka sfiduar Kushtetutën e Bosnjës, me miratimin e një ligji për produktet dhe pajisjet mjekësore.
Përfaqësuesit e tij kanë thënë po ashtu se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit.
Përfaqësuesit e Republikës Sërpska nuk morën pjesë në seancën ku foli Schmidt.
Ata janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.
Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.
Schmidt tha se qytetarët e Bosnjës meritojnë të ardhme paqësore dhe të begatë.
“Ajo që ata nuk meritojnë është frika. Atmosfera e frikës dhe e ndarjes vetëm se do ta përshpejtojë largimin e të rinjve”, tha Schmidt.
“Në muajin gusht nuk kam mundur të pres që Bosnja do të përballet me sfidën më serioze ndaj sovranitetit të saj”, tha ai.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Muslimano-Kroate janë dy entitetet që e përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.
(REL)