Schmitt: “Kosova është shteti më demokratik në rajon”

Prishtinë, 30 mars 2022 – Historiani i njohur zviceran, Oliver Jens Schmitt, autor i disa librave për shqiotarë dhe për Kosovën, e ka cilësuar Kosovën si shtyllë të botës demokratike në rajon.

Ai ka tnënë se demokratizimi i shoqërisë kosovare duhet të shpjegohet dhe kuptohet më mirë në shtetet e perëndimit.

“Unë mendoj se Kosova në një kohë mjaft të shkurtër është zhvilluar në një demokraci funksionale. Çfarë quhet kjo? Kosova është i vetmi vend në rajon, në truallin e ish-Jugosllavisë, në të cilin një opozitë mund t’i fitojë zgjedhjet e lira dhe një qeveri, e cila i ka humbur zgjedhjet, e pranon edhe humbjen. Kjo paraqet edhe pjekurinë demokratike të shoqërisë kosovare që nuk mund të gjendet as në Shqipëri, as në Serbi, sidomos në Serbi, domethënë në shtetin që është përpjekur ta shkatërronte shoqërinë kosovare në vitet ‘90. Ky është një sukses shumë i madh që duhet të shpjegohet dhe të kuptohet më mirë në Perëndim, sidomos në ditët e sotme, kur edhe Perëndimi është në luftë me Rusinë. Janë dy modele politike të ndryshme, bota demokratike dhe bota autoritare. Unë mendoj se tani Kosova, me këtë pjekuri demokratike, është një shtyllë e botës demokratike në rajon”, ka thënë Schmitt në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova.

“Unë mendoj se kosovarët mund të jenë shumë krenarë për sukseset dhe për përparimin demokratik me të gjithë problemet që i dimë, sepse, për mua, Kosova pas luftës çlirimtare dhe pavarësisë, është një model suksesi në rajon”, ka theksuar ai.

Schmitt e ka vlerësuar të pashpjegueshme që Kosova nuk ka ende liberalizim të vizave, ndërsa vende t si Serbia, e cila e rrezikon stabilitetin e rajonit, e kanë lirinë e lëvizjes në BE.

“Problemi i regjimit të vizave është një padrejtësi shumë e madhe, sepse nuk ka asnjë arsye të shpjegojë pse Kosova duhet të trajtohet ashtu, kurse vende si Serbia, që rrezikojnë edhe stabilitetin në rajon, e kanë lirinë e vizave”, është shprehur ai.

Schmitt i ka shpërfillur kritikat që i ishin bërë atij pas botimit të librit për Skënderbeun dhe librit për Kosovën. Ai ka thënë se shumica e kritikave ishin të pabaza dhe i ka hedhur poshtë akuzat për “njollosjen” e figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve.

Oliver Jens Schmitt është anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

(r.m.)