Munih, 19 shkurt 2022 – Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të shtunën, në fjalimin e tij të parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në qendër të së cilës ishin tensionet aktuale me Rusinë, foli edhe për stadin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi më shumë përpjekje për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
“Nuk mjafton që të përmendim perspektivën e zgjerimit për këtë rajon si qëllim strategjik, por duhet ta çojmë përpara atë në mënyrë aktive”, tha Scholz.
“Dhe kur flas për Bashkimin Europian atëherë i përfshij edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
Scholz paralajmëroi se “zhvendosjet gjeopolitike të pushtetit” mund ta lenë mbrapa BE-në.
“Ne europianët do të ruajmë aftësinë tonë vepruese, autonominë tonë vendimmarrëse, vetëm atëherë kur ta bashkojmë vullnetin tonë dhe aftësitë tona në Bashkimin Europian”, tha Scholz, transmeton Deutsche Welle.
Bisedimet për hapjen e negociateve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut po ecin përpara shumë ngadalë, ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë ngecur në rrugën e integrimit në BE.
Aktualisht, asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka kornizë të qartë kohore për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezervave brenda vendeve të BE-së.
(r.m.)