Berlin, 21 qershor 2022 – Gjermania do t’i dërgojë armë Ukrainës për aq sa është e nevojshme, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, ndërsa shtoi se është e qartë se Ukraina i përket Evropës. Udhëheqësi gjerman tha se vendi i tij do të angazhohet që Ukraina të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u zotua se vendi i tij do të vazhojë të ndihmojë Ukrainën përmes dërgesave të armëve, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Zoti Scholz shtoi se pas vizitës së tij në Kiev javën që shkoi, e ka edhe më të qartë se Ukraina i përket Evropës.
“Është e qartë se ne do të vazhdojmë mbështetjen me armë për Ukrainën. Do të vazhdojmë për sa kohë Ukrainës i duhet ndihma jonë”, tha udhëheqësi gjerman në një fjalim në Federatën e Industrive Gjermane “BDI” në atë që njihet si “Dita e Industrisë”.
“Ukraina na përket ne, i përket familjes Evropiane”, shtoi zoti Scholz ndërsa tha se Gjermania e mbështet rekomandimin e Komisionit Evropian që Ukraina të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe se do të angazhohet që Këshilli Evropian të ketë një qëndrim të unifikuar për këtë çështje.
Në fund të kësaj jave (23-24 qershor), vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë dhe votojnë për rrugën evropiane të Ukrainës.
Nëse Ukraina përparon drejt statusit të vendit kandidat, procesi për anëtarësimin e plotë në BE mund të zgjasë disa vite.
Ndërkohë, Kancelari gjerman tha se vendi i tij do t’i vazhdojë sanksionet kundër Moskës, edhe pse ato dëmtojnë ekonominë gjermane.
“Ne po veprojmë kundër Rusisë me sanskione të ashpra dhe të papara. Sanksione që funksionojnë. Po, këto sanksione po na dëmtojnë edhe ne dhe kompanitë tona. Por janë të drejta”, tha zoti Scholz.
Kancelari gjerman ishte në Kiev së bashku me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrin Italian Mario Draghi. Të tre udhëheqësit e lartë evropianë u takuan dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe panë nga afër Irpinin, qytetin e shkatërruar nga sulmet e ashpra të Rusisë.
Më herët, Gjermania, Franca dhe Italia janë kritikuar nga Kievi se nuk kanë bërë sa duhet për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë, por vizita e përbashkët e udhëheqësve të këtyre tri vendeve është parë si shpresë për të ardhmen evropiane të Ukrainës.
(Zëri i Amerikës)