Scholz i kërkon përsëri Putinit të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës

Berlin / Moskë, 18 mars 2022 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të urdhërojë ndaljen e sulmit ndaj Ukrainës dhe të mundësojë zgjidhje diplomatike, duke shmangur edhe katastrofën humanitare.

Zyra e Scholzit, përmes një deklarate për medie, ka thënë se dy liderët kanë folur në telefon për gati një orë “lidhur me luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për t’i dhënë fund asaj”.

Berlini nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me bisedën.

Ndërkaq, Moska, në deklaratën e saj, ka lënë  të kuptohet se Putin nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e veta.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve në Moskë se pala ruse “është e gatshme për të kërkuar zgjidhje, në përputhje me qasjet e saj parimore”.

Ai ka thënë se Putini pritet të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, të premten.

(r.m.)