Scholz pas takimit me Vuçiqin: Dialogu duhet të shpie në marrëveshje gjithëpërfshirëse

Berlin, 4 maj 2022 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Ai ka theksuar se dialogu duhet të prodhojë njëe marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i zgjidhjet të gjitha çështjet e hapura midis dy vendeve.

“Kam biseduar me presidentin Vuçiq për rëndësinë e progresit në dialogun që duhet të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut. Kjo kërkon guxim dhe vendosmëri dhe që palët të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura”, ka thënë Scholz të mërkurën, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kancelari gjerman ka thënë se në takim me Vuçiqin ka biseduar edhe lidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë. Po ashtu ka shprehur shqetësimin edhe për situatën në Bosnë e Herceëgovinë, duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes e stabilitetit.

“Presidentit Vuçiq ia përcolla edhe shqetësimin tim për situatën në Bosnjë. Është shumë e rëndësishme të ruhet stabiliteti”, ka thënë  Scholz.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se Serbia do të angazhohet për një “zgjidhje me kompromis”, por ta shtuar se kjo varet edhe nga “pala tjetër”.

“Do ta bëjmë më të mirën për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis, do të përpiqemi të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç e kemi bërë të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër”, ka thënë ai.

Megjithatë, Vuçiq ka shprehur besimin se të dy palët do të kenë kurajë për të bërë progres në këtë proces. Por, ka theksuar se për Serbinë “ky nuk është një proces i lehtë”.

Presidenti i Serbisë ka pranuar se nga kancelari Scholz e ka marrë një mesazh të qartë edhe lidhur me çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Serbia ka qenë nën sanksione për një dekadë të tërë dhe ka një ndjenjë ndryshe nga shumica e të tjerëve. Serbia e kuptoi mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve”, ka thënë Vuçiq.

Kancelari Scholz, para takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti e Vuçiq pritet të takohen sonte në Berlin, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

(r.m.)