Berlin, 3 nëntor 2022 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha të enjten se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe se është koha që të marrin fund konfliktet rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Ai i bëri këto komente në hapje të takimit të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.
Kancelari Scholz tha sot se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interesin e Bashkimit Evropian.
“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë të flasë me shumë nga ju për sfidat e rënda me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor. Këto sfida janë të përbashkëta sepse qëndrueshmëria dhe përparimi i rajonit nuk mund të ndahen nga qëndrueshmëria dhe përparimi i Evropës si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj”, tha kancelari Scholz.
Udhëheqësit e vendeve të rajonit nënshkruan marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.
Kancelari Scholz tha se përkushtimet e sotme karakterizohen nga një ndjenjë urgjence për shkak se lufta Rusisë në Ukrainë e bën të domosdoshëm bashkimin për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës.
“Është koha për të zgjidhur konfliktet rajonale që kanë zgjatur shumë dhe që ju ndajnë juve dhe pengojnë rrugën evropiane të vendeve tuaja. Procesi i normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në veçanti duhet të përshpejtohet, prandaj le ta përfundojmë këtë”, tha kancelari Scholz, i cili së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron ka hedhur një nismë për një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.
Nuk janë dhënë hollësi rreth nismës që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, por kjo çështje pritet të diskutohet gjatë ditës në margjinave takimit në Berlin ku po merr pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dërguar në këmbë të tij kryeministren Ana Bërnabiç.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Diplomatët perëndimorë i kërkuan Kosovës të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e një vendimi për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës modifikoi afatin fillestar që 31 tetori të ishte data e fundit, duke shpallur zbatimin shkallë-shkallë të vendimit që kundërshtohet ashpër nga Beogradi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u shprehën të zhgënjyer që qeveria e Kosovës nuk përfilli kërkesën e tyre.
Ndonëse ndryshimi i afatit shmangu ndonjë përplasje në veriun e Kosovës të banuar me shumice serbe, policia e Kosovës raportoi për dëmtim pronash të atyre qytetarëve serbë që kanë konvertuar targat e makinave.
Autoritetet serbe thanë se kanë vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë, ndërsa pjesëtarët serbë të policisë thanë se kanë refuzuar të përfshihen në procesin e zbatimit të vendimit të qeverisë për targat.
Çështja u diskutua sot edhe në një takim në Berlin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha veprimet si djegia e makinave, “janë të papranueshme”. Ai tha se marrëveshjet e arritura në bisedime duhet të respektohen, ndërsa bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.
Good to meet PM @albinkurti ahead of #BerlinProcess
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 3, 2022
Discussed the situation in north of Kosovo. Disruptive actions, such as burning of cars, are unacceptable
Dialogue agreements must be respected. Call on all to act with restraint
We also discussed way forward on normalisation pic.twitter.com/I4fdzD12Fm
(Zëri i Amerikës)