Berlin, 28 mars 2022 – Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje për hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.
“Çdo vonesë e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimit të palëve të treta”, tha Scholz të hënën, në Berlin, pas takimit me homologen suedeze Magdalena Andersson.
Ai tha se Gjermania dhe Suedia duhet të shtyjnë përpara reformat për zgjerimin e BE-së.
“Është e qartë edhe për Gjermaninë dhe Suedinë se BE-ja duhet të shtyjë përpara me reforma institucionale për ta bërë veten të aftë për zgjerim”, tha Scholz.
Nisja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u bllokuan në nëntor të vitit 2019, pasi Bullgari, si shtet anëtar i BE-së, vendosi veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.
Sofja kërkoi që më parë të arrihet një marrëveshjeje për gjuhën dhe identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.
Shkupi dhe Sofja kanë formuar grupe punuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të mund të nisin bisedimet për integrim evropian.
(Sipas DW dhe REL)