Moskë, 22 mars 2024 – Së paku 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë autoritetet ruse.
Sipas tyre, ngjarja ndodhi në sallën Crocus City në Krasnogorsk, mbrëmjen e së premtes.
Ueb-faqja Baza citoi burime të paidentifikuara të kenë thënë se numri i të vrarëve është së paku 62 dhe se mund të rritet. Megjithatë, ky raport nuk u konfirmua në mënyrë të pavarur.
Ministria Rajonale e Shëndetësisë në Moskë publikoi një listë me emrat e 145 të plagosurve që u dërguan në spitale. Lista përfshinte edhe fëmijë.
Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan persona të armatosur duke hyrë në sallë dhe duke hapur zjarr, përpara fillimit të një koncerti nga grupi muzikor rus, Piknik.
RIA-Novosti raportoi për së paku tre sulmues të përfshirë, ndërsa Interfax për së paku pesë. Vendndodhja apo fati i tyre është ende i paqartë.
Në vendngjarje ndodhen forca speciale të sigurisë dhe policë të shumtë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është duke u informuar rregullisht për situatën.
“Putin u informua në minutat e parë për atë që ndodhi në Crocus City”, tha Peskov dhe shtoi se ai i ka dhënë “të gjitha udhëzimet e nevojshme”.
(Radio Evropa e Lirë)