Së paku 49 të vrarë nga një sulm rus ndaj civilëve në Harkiv

Kiev, 5 tetor 2023 – Së paku 49 njerëz janë vrarë si pasojë e një sulmi rus ndaj civilëve në rajonin e Harkivit në Ukrainë, thanë të enjten autoritetet ukrainase.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në rrjetin social X se Rusia “qëllimisht dhe në mënyrë barbare i sulmoi caqet civile – një kafene dhe një dyqan në fshatin Hroza në rrethinën Kupiansk”.
Në sulm u vranë së paku 49 njerëz, përfshirë një fëmijë, dhe u plagosën gjashtë të tjerë, tha Ministria.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi për këtë sulm në rrjetet sociale, i cili ndodhi derisa ai udhëtoi për në Garanadë të Spanjës, për t’u takuar me liderët evropianë gjatë samitit të Bashkimit Evropian më 5 tetor, ku do të kërkojë të sigurojë edhe më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit të paprovokuar rus.
“Një krim brutal rus… një sulm me raketë në një dyqan të zakonshëm ushqimi, ky është sulm i qëllimshëm terrorist”, shkroi Zelensky në Telegram.
Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synehubov, tha se ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vend të ngjarjes, ku ndodhet edhe një kafene.
Nuk u bë e ditur menjëherë nëse sulmi u krye me raketë apo me dron.
Zelensky dhe 46 liderë të tjerë shtetesh po marrin pjesë në takimin e tretë të Komunitetit Politik Evropian – një forum i veçantë për shkëmbime politike mes 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 20 vendeve nga kontinenti dhe Kaukazi.
“Synimi ynë i përbashkët është ta garantojmë stabilitetin dhe sigurinë e shtëpisë sonë të përbashkët evropiane”, tha Zelensky.
(REL)