Së paku 51 të vrarë nga militantët islamikë në Mali

Bamako, 9 gusht 2021 – Guvernatori i rajonit Gao në Mali tha se të paktën 51 persona u vranë kur militantët islamikë bastisën tre fshatra. Shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën dhe tufat e bagëtive u morën me vete, raporton Reuters.

Zona gjendet në Malin qendror pranë kufirit me Nigerin.

Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmet në zonën ku trupat maliane, forcat franceze dhe evropiane dhe paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara po luftojnë kundër kryengritësve të lidhur me Shtetin Islamik dhe Al-Kaidën.

Sulmet janë konfirmuar edhe nga zëdhënësi i ushtrisë së Malit, koloneli Souleymane Dembele, por ai nuk ka dhënë detaje të tjera.

Burime të tjera lokale i thanë Reuters se militantët u vendosën në hyrjet e qyteteve dhe qëlluan mbi civilët.

Franca, një ish-fuqi kolonizuese, është vendi i vetëm perëndimor që ka prani të konsiderueshme ushtarake në Mali, ku po zhvillohen operacione kundër militantëve.

Në vitin 2012 militantët pushtuan pjesën veriore të këtij shteti.

Ushtria franceze i ka dëbuar ata më 2013 prandaj mbi 4,000 trupa franceze vazhdojnë të jenë në Mali.

Një marrëveshje paqeje e nënshkruar më 2015 nga Qeveria e Malit dhe grupet e armatosura ka pasur synim rikthimin e stabilitetit në këtë shtet, mirëpo të gjitha paktet kanë dështuar të ndalin dhunën e militantëve islamikë.

(REL)