Së paku 80 të vdekur dhe qindra të zhdukur nga përmbytjet në Gjermani

Berlin, 16 korrik 2021 – Së paku 80 njerëz humbën jetën nga përmbytet në Gjermani – më të rëndat në disa dekada – thanë autoritetet të premten.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për qindra njerëz të tjerë të zhdukur.

“Kam frikë se shkallën e plotë të katastrofës do ta shohim në ditët në vijim”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Uashingtoni, ku qëndroi për vizitë zyrtare.

Merkel premtoi mbështetje të plotë për të prekurit, duke thënë se Qeveria e saj nuk do ta lërë vetëm popullin “në këtë kohë të vështirë dhe të tmerrshme”.

Landet gjermane Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen janë më të goditurat, por Belgjika dhe Holanda janë prekur gjithashtu keq, ndërsa përmbytje ka edhe në Luksemburg dhe Zvicër.

Autoritetet belge kanë raportuar për së paku 11 persona të vdekur.

Shira të furishëm parashikohen në të gjithë rajonin edhe gjatë ditës së sotme.

Rreth 15,000 policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë duke marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Gjermani. Helikopterët kanë nxjerrë banorët e bllokuar nga majat e çative, ndërsa tanket po pastrojnë rrugët nga pemët dhe mbeturinat e rëna.

“Askush nuk e ka pritur këtë – nga ka ardhur gjithë ky shi? Është çmenduri”, tha Annemarie Mueller, një banore 65-vjeçare nga qyteti i përmbytur Majen.

Kryeministri i landit Nordrajn Vesthalen, Armin Laschet, tha se fajtor për motin ekstrem është ngrohja globale.

“Ne do të përballemi me ngjarje të tilla pa pushim dhe kjo do të thotë se duhet t’i përshpejtojmë masat e mbrojtjes së klimës… sepse ndryshimi i klimës nuk është i kufizuar vetëm në një shtet”, tha Laschet.

“Ne nuk e dimë ende shkallën e dëmit, por nuk do t’i lëmë vetëm komunitetet, njerëzit e prekur”, tha ai gjatë një vizite në qytetin e përmbytur Hagen.

Në frymë të ngjashme u shpreh edhe ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer. Gjermania “duhet të përgatitet shumë më mirë në të ardhmen, ky mot ekstrem është pasojë e ndryshimit të klimës”, tha ai.

Në Belgjikë, pamjet dramatike të përmbytjeve treguan makina që merrte uji përgjatë një rruge në qytetin Vervi.

Banorët e qytetit Liezh, zonës së tretë më të madhe urbane të Belgjikës, u urdhëruan të evakuohen. Zyrtarët lokalë thanë se ata që nuk janë në gjendje të largohen, duhet të zhvendosen në katet e sipërme të ndërtesave të tyre.

Lumi Mouz, i cili rrjedh nëpër qytet, pritet të fryhet ende. Zyrtarët janë të shqetësuar se një digë në zonë mund të shembet dhe u bënë thirrje banorëve që të ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Situata e krizës është e jashtëzakonshme dhe solidariteti duhet të mbizotërojë”, tha autoriteti lokal përmes një deklarate.

Mbreti i Belgjikës, Philippe, dhe mbretëresha Mathilde vizituan një qendër të krizës në juglindje të qytetit Liezh, e ngritur për banorët e prekur.

Në Holandë, mbreti Willem-Alexander dhe mbretëresha Maksima inspektuan dëmet në Valeknburg – afër kufijve belgë dhe gjermanë – ku përmbytjet përfshinë qendrën e qytetit dhe detyruan evakuimin e disa shtëpive të pleqve.

Holanda nuk ka raportuar asnjë viktimë, por mijëra njerëz në qytete dhe fshatra përgjatë lumit Mouz janë inkurajuar t’i lënë shpejt shtëpitë e tyre.

(REL)