Prishtinë, 16 dhjetor 2024 – Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë do të mbajnë një seancë të përbashkët në Prishtinë, të premtem, më 20 dhjetor.
Seanca është caktuar të hënën, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në agjendën e takimit është paraparë të flasin kryetarët e dy kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kryeministrat e dy vendeve, Albin Kurti dhe Edi Rama, si edhe shefat e grupeve parlamentare tw tw dy kuvendeve.
Ajo ka thënë se nga Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrin pjesë rreth 60 deputetë.
Zonja Kusari-Lila ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar edhe për mbajtjen e një seance të Kuvendit të Kosovës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo ka deklaruar se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka marrë konfirmimin e deputetëve të kësaj partie se do të marrin pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe presin që edhe deputetët e partive tjera ta konfirmojnë pjesëmarrjen në seancë dhe votimin e këtyre marrëveshjeve.
“Mbetet të shihet gatishmëria për votim e deputetëve në përgjithësi, e opozitës në veçanti”, është shprehur kusari-Lila.
(r.m.)