Seanca për zgjedhjen e presidentit, pas ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet

Prishtinë, 2 prill 2021 – Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit do të mbahet pas seancës për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili është proceduar me procedure të shpejtuar.

Këtë e konfirmoi shefja e Grupit Parlamentar të partisë më të madhe në kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Në një konferencë për media, ajo tha se tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare që me procedurë të përshpejtuar të bëhen ndryshimet në këtë ligj, përmes së cilave synohet që diasporës t’u mundësohet votimi në ambasadat e Kosovës dhe nëse lejojnë afatet kohore, seanca për presidentin do të thirret të premten.

“Varësisht nga afatet kohore do të procedojmë me kërkesën e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe se për këtë post kandidojnë dy persona, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, të dy kandidatë të Listës së Vjosa Osmanit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit që ishin pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Republikës kemi konfirmimin se janë 80-të të vullnetshëm që të marrin pjesë në procesin e votimit. Përderisa, ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës plenare të mbajtur të premten, paralajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovë, që është në opozitë, ka marrë vendim që deputetët e kësaj partie të marrin pjesë në votimin për presidentin. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse në vlotim do të marrin pjesë të gjithë deputetët e LDK-së.

Kundër kandidaturës së Vjosa Osmanit janë deklaruar dy partitë tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lista Serbe nuk është deklaruar fare lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, ndërsa partitë e komuniteteve joserbe, të cilat janë pjesë e qeverisë janë shprehur pro zgjedhjes së zonjës Osmani.

(r.m.)