Tiranë, 2 shkurt 2023 – Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në seancën parlamentare ku ishte parashikuar të zhvillohej interpelanca e thirrur nga Partia Demokratike (PD) për lidhjet e ish-agjentit të lartë i FBI-së, Charles McGonigal, me Shqipërinë.
Kjo seancë u zhvillua me tensione mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Grupi parlamentar i PD-së dërgoi Kuvendit kërkesën për interpelancë urgjente ditën e shtunë (28 janar).
Partia opozitare i kërkoi sqarime kryeministrit Edi Rama për cështjet se “çfarë është diskutuar me ish-zyrtarin e FBI-së dhe në cfarë cilësie e ka takuar atë; sqarime edhe në lidhje me biznesmin rus Oleg Deripaska; dhe përse qeveria shqiptare i ka dhënë koncensione dhe statusin e investitorit strategjik”.
Listës së gjatë të pyetjeve të opozitës u përgatit t’iu përgjigjej ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, por një gjë e tillë nuk u pranua nga opozita.
Për shkak se deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, seanca u ndërpre dy herë, por as pas pushimit, situata nuk ndryshoi.
Deputetët demokratë përplasën tavolinat me duar si dhe bllokuan foltoren, ndërsa nuk munguan as fishkëllimat e bilbilave.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkeljd Alibeaj tha se “fshehja dhe heshtja e kryministrit Edi Rama” tregon, sipas tij, “se ai është i inkriminuar”.
“Kryeministri ka detyrim politik, institucional dhe gjyqësor t’i përgjigjet kërkesës për interpelance personalisht dhe jo ta delegojë. Ai do heshtë, heshtja e tij tregon inkriminim e tij. Ajo çka do të jetë sjellja e opozitës është të ushtrojmë detyrat tona në bazë të institucioneve politike. Të durojmë që ai të dalë dhe të flasë. Nëse ai nuk vjen, faktikisht ka ndodhur diçka. Sot ky vend nuk ka kryeministër. Ka dy seanca që nuk vjen dhe që nuk përgjigjet për një çështje”, tha Alibeaj.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj oozitës përmes rrejtit social Twitter.
“Abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, kjo cështje po përdoret nga opozita.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, u arrestua më 21 janar. Ai akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe pjesëmarrje në pastrim të parave, derisa ka punuar me biznesmin rus Oleg Deripaska, të cilin e ka ndihmuar të hetojë një oligark rival rus.
Arrestimi dhe akuzat ndaj tij sollën reagime të shumta në Shqipëri. Sipas aktakuzës nga gushti i vitit 2017, McGonigal nuk ia ka zbuluar FBI-së marrëdhënien e tij me një ish-zyrtar të agjencisë së inteligjencës shqiptare – i përshkruar në aktakuzë si “Personi A”, prej të cilit ka marrë 225.000 dollarë.
Gjithashtuai nuk ka bërë të ditur se “ka pasur kontakte” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në lidhje me këtë çështjë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thirrur qytetarët në protestë më 11 shkurt, ndërsa në opozita ka dorëzuar një kallëzim ndaj kryeministrit Edi Rama në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) dhe ka kërkuar të nisin hetimet.
(Jetmira Delia – Kaci, REL)