Vjenë, 18 janar 2024 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një aktivitet i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së – për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj.
Guvernatori Sejko ishte i ftuar si diskutant në panel së bashku me zj. Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut; zj. Nattia Turnava, Zëvendësguvernatore e Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë; z. Gediminas Šimkus, Kryetar Bordi i Bankës së Lituanisë, dhe zj. Marta Kightley, Zëvendësguvernatore e Bankës Kombëtare të Polonisë.
Guvernatorët shkëmbyen mendime mbi disa çështje kryesore të aktualitetit ekonomik, të tilla si: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e inflacionit dhe reagimi i bankave qendrore ndaj tij; rifitimi i besueshmërisë së institucioneve dhe mjetet e reja të komunikimit; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen lidhur me zhvillimet teknologjike dhe ndërlidhja e tyre me politikën monetare.
Guvernatori Sejko shprehu pikëpamjet e tij mbi pasojat e zhvillimeve ekonomike në rajon, si përballja me inflacionin pas goditjes globale të furnizimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ai theksoi se kostot për aktivitetin ekonomik kanë qenë mjaft të dukshme, madje disa ekonomi si Eurozona rrezikuan të zbrisnin në recesionin.
Në vijim, Guvernatori u ndal në rastin e Shqipërisë, ku u shpreh se në vendin tonë është arritur reduktimi i inflacionit nga piku prej 8.3% në nëntor 2023, në nivelin prej 4% në dhjetor 2023. Në të njëjtën kohë është siguruar dhe ruajtja e një rritjeje ekonomike solide prej rreth 3.5% për vitin 2023. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023, duke e rritur normën bazë të interesit deri në nivelin 3.25%.
Gjithashtu, ai u shpreh se aktualisht jetojmë në një botë me përparim të shpejtë teknologjik dhe industria financiare nuk është e përjashtuar prej tij. Përdorimi i të dhënave, inteligjencës artificiale, monedhave digjitale dhe inovacioni i sistemeve të pagesave kanë sfiduar praktikat dhe politikat ekzistuese të bankave qendrore.
“Ashtu si çdo zhvillim teknologjik, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimeve të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatshme në momentin që instrumente të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg. Në këtë mënyrë do të jemi të përgatitur mirë për të përballuar sfidat që vijnë nga inovacioni financiar në të ardhmen,” tha Guvernatori.
Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko pati mundësinë të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare ku veçojmë takimin me zj. Aleksandra Vukosavljević, Drejtore për Institucionet Financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore dhe z. Alexander Pivovarsky, Drejtor i Tregjeve Financiare dhe Kapitalit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me të cilët diskutoi mbi çështje të lidhura me procesin e ekuivalentimit të Bankës së Shqipërisë.
Me asistencën e BERZH, është kryer paraprakisht një vetëvlerësim i kuadrit ligjor e rregullativ mbikëqyrës me atë të Bashkimit Evropian. Ky vetëvlerësim u bazua në metodologjinë e re të publikuar nga EBA përgjatë vitit 2022.
Gjatë këtij procesi u evidentua një nivel i lartë përafrimi i kuadrit tonë mbikëqyrës me atë në fuqi në Bashkimin Evropian. Me daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim të shtuar, në fund të vitit 2023, Guvernatori ka komunikuar me Autoritetin Bankar Evropian (EBA) duke shprehur gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të realizuar procesin teknik të vlerësimit. Gjatë takimit, dhe Përfaqësuesit e BERZH konfirmuan, po ashtu, se progresi i bërë në këtë drejtim ka qenë mjaft i kënaqshëm dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme me qëllim që ky proces të finalizohet me sukses brenda këtij viti.