Uashington, 14 tetor 2022 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare. Ekonomia shqiptare ka përballuar mirë goditjet e shumta të viteve të fundit, si tërmeti i vitit 2019 e pandemia COVID-19. Megjithëse ekspozimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë ndaj konfliktit Rusi – Ukrainë janë të kufizuara, Shqipëria tani po përballet me sfida që vijnë si pasojë e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ngadalësimit ekonomik në Evropë. Guvernatori theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim, ndërsa shprehu angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur.
Në vijim, Guvernatori theksoi se inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për stabilitetin makroekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit, pavarësisht se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet. Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe pritet të ulet gjatë vitit 2023. Marrja e masave për zbutjen dhe kthimin e tij në objektiv është në fokus kryesor të punës së bankës qendrore. Guvernatori Sejko u shpreh se fillimi i normalizimit të politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur këtë tregues, ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga BSH-ja, si dhe shtuan se kushtet monetare janë ende akomoduese, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit.
Guvernatori shtoi se rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm, nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga mbështetja me kredi nga sektori bankar, i cili paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme të ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të forcuar rregullimin dhe mbikëqyrjen. Përmirësimi i këtyre të fundit, në përputhje me standardet e BE-së, do mund t’u siguronte autoriteteve mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet e stabilitetit financiar. Gjithashtu, ata inkurajuan vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt de-euroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit nënvizuan se trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si inflacioni, kriza energjetike etj. nxjerrin në pah edhe një herë një sërë detyrash që duhen marrë në konsideratë nga autoritetet.
Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së shtuan se investimi i vazhdueshëm në reforma të cilat nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, si dhe zhvillimin e gjithanshëm të infrastrukturës, është rruga e vetme drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social.
Guvernatori Sejko shtoi se Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon ruajtjen e vëmendjes drejt reformave strukturore. Tashmë kjo agjendë reformash gjen një ankorë të fortë në procesin e negociatave që vendi po zhvillon në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
(Monitor)