Uashington, 25 shtator 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi sot atë që ai e quajti “një sulm të koordinuar dhe të dhunshëm” ndaj policisë së Kosovës dhe bëri thirrje që “autorët e këtij krimi të mbahen përgjegjës përmes një procesi hetimor transparent.”
Zoti Blinken i bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë “të përmbahen nga veprime dhe retorika që mund të nxisin tensione të mëtejshme dhe menjëherë të punojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për shtensionimin e situatës, të garantojnë sigurinë, rendin dhe ligjin, dhe të kthehen në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.”
The recent violent attacks on the Kosovo Police near the Banjska Monastery are unacceptable. We call on the governments of Kosovo and Serbia to avoid actions which could further inflame tensions and to immediately return to the EU-facilitated Dialogue.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) September 25, 2023
Sekretari i Shtetit thekson se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.”
“Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si autoritetin që reagon i pari në situata urgjence dhe krize,” shton ai.
Zoti Blinken thekson se “Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për koordinimin e afërt të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe misionin e NATO-s në Kosovë, në veçanti për ofrimin e sigurisë për civilët në vendin e ngjarjes.”
“Do të vazhdojmë të përcjellim situatën dhe të koordinohemi me të gjithë të përfshirë,” përfundon zoti Blinken.
(Zëri i Amerikës)