Pekin, 19 qershor 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të hënën në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, në ditën e dytë dhe të fundit të një vizite që synoi stabilizimin e marrëdhënieve mes dy fuqive. Pas takimit me presidentin kinez, zoti Blinken theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë mes të dy palëve. Nga ana e tij presidenti Xi vlerësoi progresin e shënuar në marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Antony Blinken është sekretari i parë i shtetit që takohet me udhëheqësin kinez që nga viti 2018.
Zoti Blinken u prit nga presidenti Xi Jinping në sallën e madhe të popullit.
Mbetet për t’u parë nëse kjo vizitë do të arrijë të zgjidhë mosmarrëveshjet më të rëndësishme mes dy vendeve, shumë prej të cilave lidhen me çështje ndërkombëtarë financiare, të sigurisë dhe të stabilitetit.
“Presidenti Biden më kërkoi të udhëtoja në Pekin sepse ai beson se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë një detyrim dhe përgjegjësi për të menaxhuar marrëdhëniet mes tyre. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për ta bërë këtë. Kjo është në interesin e të dy vendeve dhe në interes të botës. Ditët e fundit kam zhvilluar biseda të sinqerta dhe konstruktive me Këshilltarin Shtetëror Qin Gang dhe zyrtarin Wang Yi. Ne mbuluam një gamë të gjerë të çështjeve dypalëshe dhe globale”, tha Sekretari amerikan Blinken.
Presidenti kinez tha se palët ranë dakord të përparojnë mbi çështjet që ai dhe Presidenti amerikan Biden, u morën vesh gjatë takimit në Bali.
“Palët kanë bërë progres dhe kanë arritur marrëveshje për disa çështje specifike. Kjo është një gjë shumë e mirë. Veprimet ndërshtetërore duhet të mbështetën gjithmonë në respektin dhe sinqeritetin reciprok. Shpresoj që përmes kësaj vizite, zoti Sekretar, të jepni kontribute më pozitive në stabilizimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-së”, tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Zoti Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe janë për zgjidhje paqësore të dallimeve mes Kinës dhe Tajvanit.
Gjatë komunikimit me gazetarët sekretari Blinken tha se kishte ngritur çështjen e të drejtave të njeriut, përfshirë shqetësimet ndërkombëtare për trajtimin e popullatës në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong, si dhe ndalimin e padrejtë të qytetarëve amerikanë në Kinë.
Takimi më i fundit mes Presidentëve Biden e Xi u zhvillua në nëntor në Bali të Indonezisë ndërsa mbahej takimi i nivelit të lartë të 20 vendeve më të zhvilluara të botës (G20). Palët u zotuan për komunikim më të shpeshtë. Megjithatë, lidhjet mes dy superfuqive të botës që atëherë janë përkeqësuar për çështje të ndryshme nga Tajvani e deri te shqetësimet që kanë të bëjnë me spiunazhin.
“Ne i kemi të qarta sfidat që kanë të bëjnë me Republikën Popullore të Kinës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për një të ardhme që ne ndajmë me shumë të tjerë, një botë të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të begatë me vendet që mbështesin rendin e mbështetur në rregulla. Ky rend ka ruajtur për vite paqen dhe sigurinë globalisht. Formësimi i asaj të ardhme bëhet duke filluar me diplomacinë, me përfshirje të Kinës”, tha Sekretari Blinken pas takimit me presidentin kinez.
Zoti Blinken i tha udhëheqësit kinez se presidenti amerikan Joe Biden beson se Uashingtoni dhe Pekini kanë një detyrim për të menaxhuar marrëdhëniet e tyre dhe se SHBA-ja është e përkushtuar për ta bërë një gjë të tillë.
(Zëri i Amerikës)