Kiev, 6 shtator 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti të mërkurën në Kiev, në një vizitë të paparalajmëruar, me qëllim që të shprehë besimin në forcat ukrainase dhe të rikonfirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë takimit me Kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal, Blinken tha se çdo herë që e viziton vendin befasohet nga qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e popullit ukrainas, nga forca e ushtrisë së tij dhe nga udhëheqja shumë e fortë e vendit.
“Jam këtu kryesisht me kërkesë të Presidentit Biden për të riafirmuar angazhimin tonë për të qëndruar me ju, për t’u ndihmuar që të keni sukses ushtarakisht dhe të përballeni me agresionin. Por, gjithashtu, të qëndrojmë me ju për t’ju siguruar që përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi dhe demokraci të fortë të kenë sukses”, tha Blinken, citon Zëri i Amerikës.
“Ne do të jemi partnerët tuaj në këto përpjekje, së bashku me shumë vende të tjera të botës”, theksoi ai.
Blinken mbërriti në Ukrainë disa orë pasi Rusia kreu një sulm me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, ndërsa gjatë kohës që ai po takohej me udhëheqësit shtetërorë të Ukrainës, forcat ruse e sulmuan me raketa qytetin lindor të Kostiantynivkas, ku shkaktuan vdekjen e 17 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve.
Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal e falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjrë perëndimor për mbështetjen e Ukrainës. Ai tha se sulmet e sotme dëshmojnë neevojën e vazhdimit të mbështetjes.
“Sot, ndërsa ju ishit rrugës për në Kiev, rusët ia kujtuan gjithë Ukrainës se kush janë ata. Ata demonstruan edhe një herë qëndrimin e tyre ndaj të gjithë neve, popullit ukrainas, popullit amerikan dhe botës së qytetëruar. Faleminderit për vizitën tuaj dhe guximin. Ne po e mbrojmë vendin dhe me siguri do të fitojmë”, tha ai.
Vizita e sekretarit Blinken në Ukrainë kishte qëllim vlerësimin e ecurisë së kundërsulmit të forcave ukrainase dhe të shprehë vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së, ndërsa disa aleatë perëndimorë po shprehin shqetësime për rezultatet e Ukrainës në fushën e betejës
Forcat ukrainase po përparojnë në zonat e pushtuara pa mbulim ajror, gjë që e bën më të vështirë dhe më të ngadalshëm përparimin e tyre, ndërsa Rusia ka nisur shtytjen e saj në verilindje të vendit, për të bllokuar forcat ukrainase dhe për të parandaluar rishpërndarjen e tyre në jug.
Sipas Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, javët e fundit, Ukraina i ka përshtatur taktikat e saj, duke kaluar nga përpjekjet për të kaluar rrugën e saj përmes linjave ruse me armë të dhuruara nga Perëndimi në sulme taktike të planifikuara më mirë që sjellin rezultate më të mira.
(r.m.)