Uashington, 17 shkurt 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka uruar popullin e Kosovës në 16-vjetorin e Pavarësisë.
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë partneritetin me Kosovën dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për “një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë”.
“Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në mesazhin e urimit.
Ashrtu sikurse Presidenti Joe Biden, sekretari Blinken ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Seerbisë, e cila shpie drejt njohjes së ndërsjellë, si zgjidhje përfundimtare.
“SHBA-të inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë”, thuhet në mesazhin e sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Mesazhi i plotë i sekrertarit Blinken:
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës për përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, në vlerat e përbashkëta dhe në miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe në promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë Kosovën të përmbushë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë.
Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne i mbështesim aspiratat e përcaktuara në Deklaratën tuaj të Pavarësisë dhe në Kushtetutë për të kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi. Ne e mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë.
Sërish, urime mikut, partnerit dhe aleatit tonë në përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paçi një vit të qetë dhe të begatë!
(r.m.)