Sekretari Blinken viziton sot Shqipërinë

Tiranë, 15 shkurt 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot do ta vizitojë Shqipërinë, ku do të takohet me krerë shtetërorë, me të rinj dhe afganët që po strehohen në këtë shtet.

Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë dhe sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Sipas zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, vizita në Tiranë përkon me fillimin e shekullit të dytë të raporteve SHBA-Shqipëri.

“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të takohet me Blinkenin, tha më herët se vizita e zyrtarit të lartë amerikan tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama më 14 shkurt.

Përveç takimit me Ramën, Blinken do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryediplomati amerikan do të mbajë një fjalim në një ngjarje për të rinj që organizohet për të shënuar “të ardhmen e raporteve SHBA-Shqipëri”, thuhet në ueb-faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai do të marrë pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj.

Blinken po ashtu do të takojë afganët e strehuar në Shqipëri, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Pawell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.

Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.

This image has an empty alt attribute; its file name is Bilbordi-Mire-se-vjen-Z.-Blinken-Tirane-640x400.jpg

(REL)