Bruksel, 26 nëntor 2024 – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është takuar të hënën në Ankara me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
Në komunikatën e NATO-s njoftohet se në takim, ndër të tjera, është diskutuar edhe për sigurinë në Kosovë.
Sekretari Rutte e ka ka lavdëruar komandën turke të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe rolin e Turqisë për sigurinë në Kosovë.
“Rutte po ashtu e përgëzoi Turqinë për përmbylljen me sukses të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke thënë se ‘kontributi juaj i vazhdueshëm me trupa është kyç në ruajtjen e ambientit të sigurt për të gjithë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Sekretari Rutte ka lavdëruar Turqinë për kontributin e saj në NATO, duke vënë në pah se Turqia e ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe shpenzon më shumë se 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje.
Rutte e ka lavdëruar Turqinë edhe për përkrahjen e Ukrainës me municione, me artileri dhe me ndihma të tjera, ndërsa e ka vlerësuar posaçërisht për rolin kyç në arritjen e marrëveshjeve për eksportimin e grurit nga Ukraina.
Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s, Mark Rutte, udhëtoi për në Turqi pas një vizite që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me Presidentin e zgjedhur Donald Trump.
(r.m.)