Sekretarja e Jashtme britanike skeptike për bisedimet Ukrainë-Rusi

Londër, 16 mars 2022 – Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se është skeptike për bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Unë jam skeptike në lidhje me bisedimet e paqes, derisa Putini është ende duke bërë luftë në Ukrainë. Ai duhet të zbatojë një armëpushim dhe t’i tërheqë trupat e tij që bisedime për paqe të merren seriozisht”, tha Truss për BBC.

Ajo theksoi se Vladimir Putin ka “shkatërruar sigurinë evropiane” dhe ka përdorur “armë të tmerrshme dhe forcë të tmerrshme” në pushtimin e Ukrainës.

“Një nga mënyrat se si Putini financon luftën e tij është përmes të ardhurave nga nafta dhe gazi dhe natyrisht nuk po them se jemi dakord me çdo politikë të Arabisë Saudite ose Emirateve të Bashkuara Arabe, por ato nuk përbëjnë një kërcënim për sigurinë globale ashtu siç bën Vladimir Putin”, deklaroi ajo.

Truss tha se duhet të ndalohet Putini me “çdo kusht” dhe se “ai është kërcënimi i vërtetë me të cilin përballet bota”.

(REL)