Prishtinë, 23 dhjetor 2022 – Seksioni i Shkencave Shoqërore i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) distancohet nga teskti “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, i publikuar të enjten në web-faqen e ASHAK si “analizë” e këtij institucioni.
Seksioni, në një kumtesë të publikuar të premten, ka thene se ky “dokument” është tekst i kryetarit të Akademisë, Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni shpjegon se e ka kundërshtuar publikimin e këtij, siç e quan, “teksti joshkencor” në emër të Akademisë.
Seksioni thotë se ka kohë që z. Kraja “ia ka tërhequr vërejtjen për sjelljet imponuese dhe arbitrare që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e Akademisë.
“Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor,artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vet Akademinë”, thuhet në kumtesën e seksionit.
Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja “reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”. Njëkohësisht, paralajmëron se “nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të inicojë veprime të tjera statutore”.
Përmbajtja e tekstit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, të publikuar si “Analizë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka nxitur reagime të forta dhe kritika publike. Në qendër të kritikave, përveç karakterit të tekstit, i cili konsiderohet si joshkencor në tërësinë e tij, janë vënë pjesë të veçanta tij, sidomos ato që kanë të bëjnë me gjendjen, zhvillimet dhe proceset politike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
Kumtesa e plotë e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK:
AKADEMIA E SHJKENCAVE DHE ARTEVE E KOSOVËS
SEKSIONI I SHKENCAVE SHOQËRORE
KUMTESË
Lidhur me debatin që ka shpërthyer në publik rreth botimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të dokumentit “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR”, Seksioni i Shkencave Shoqërore, në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2022, jep këto sqarime;
- Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të ASHAK dhe sqaron se ai është tekst i kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!
- Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen kryetarit të ASHAK-ut, z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese dhe arbitrare që po e lëndojnë rëndëdinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai,si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor,artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rëndapër vet Akademinë.
- Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë.
- Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të inicojë veprime të tjera statutore.
23 dhjetor 2022 për Seksionin e Shkencave Shoqërore
Gjyljeta Mushkolaj, Anëtare Korrespondente
(r.m.)