Tiranë, 17 dhjetor 2021 – Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për vënien në sekuestro të pasurive të ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza
Në vitin 2018 Thanza u rrëzua nga procesi i Vettingut. Ai u gjet me probleme në të tria kriteret e rivlerësimit, përfshirë atë të pasurisë, e cila, sipas përfundimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk justifikohej me burime të ligjshme.
Kjo është dhe arsyeja përse SPAK, ashtu siç ka vepruar dhe me disa ish gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, nisi hetimet dhe ndaj tij, duke kërkuar së fundmi vendosjen e sekuestros ndaj një apartamenti dhe një garazhi në pronësi të Thanzës, në Tiranë.
Rasti i ish gjyqtarit Thanza, bëri bujë pasi gjatë procesit të Vettingut u zbulua se ai kishte patur një dënim për vjedhje në Itali, të cilin nuk e kishte deklaruar. Një vit më pas, kjo i kushtoi atij dhe një dënim me 18 muaj shërbim prove për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
(Zëri i Amerikës)