Sekuestrohen pronat e dy vëllezërve të akuzuar për prostitucion

Tiranë, 19 qershor 2024 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën më 19 qershor sekuestrimin e pasurive të dy vëllezërve që po hetohen për hapjen e qendrave të masazhit me qëllim ushtrimin e prostitucionit.

Vëllezërit me iniciale M.R dhe A.R janë arrestuar në flagrancë në vitin 2020 dhe ndaj tyre u caktua masa e arrestit me burg për veprën penale të “mbajtjes së lokaleve për shfrytëzim prostitucioni”.

Si administratorë të qendrave të masazhit, ata akuzohen se rekrutonin femra për t’i punësuar si masazhatore, por më pas i detyronin që të kryenin shërbime seksuale kundrejt pagesës.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi M.R. dhe familjarët e tij zotërojnë shuma parash në llogari të çelura në bankat e nivelit të dytë, në emër të tyre, që dyshohet se mund të jenë me prejardhje nga aktiviteti kriminal.

Organi akuzës vlerëson se nga hetime te deritanishme plotësohen kriteret për t’u vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të dy vëllezërve dhe familjarëve të tyre. Ndaj tyre është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”  e kryer në bashkëpunim.

“Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe babai dhe bashkëshortja e tij. Nga hetimi i kryer deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi M. R., si dhe familjarët e tij, paratë e dyshuara si të përftuara nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm të mbajtjes së ambjenteve për shfrytëzim prostitucioni, për të cilën provohet se edhe eshtë dënuar shtetasi M.R., i kanë investuar në blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si formë e pastrimit të produkteve të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Bazuar në këto rrethana, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e një njësie, një apartamenti, një parkimi, pesë automjeteve dhe të llogarive bankare në emër të tyre e të familjarëve.

(Repoorter.al)