Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka sekuestruar një apartament të blerë nga një mik i ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pasuri me të cilën Beqaj dhe familjarët e tij janë sjellë si pronarë.
Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën më 29 tetor sekuestrimin e një apartamenti në Vlorë, që dyshohet si pasuri e fshehur e ish-Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pasuri e regjistruar në emër të një mikut të tij të ngushtë.
Nga hetimi i filluar ndaj Beqajt në vitin 2023 për skemën e dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave duke keqpërdorur fondet e ndihmës së Bashkimit Evropian, SPAK ka identifikuar një apartament me vendodhje në Lungomare të Vlorës, si pasuri të lidhur me Beqajn. Në muajin korrik 2024 gjykata ka lejuar kontrollin e kësaj pasurie, prej nga SPAK thotë se ka përfituar të dhëna me interes për hetimin.
Nga hetimet ka rezultuar se kontrata e porosisë për apartamentin me sipërfaqe 90.8 m2, verandë 61.2 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7 m2, është lidhur në vitin 2016 nga shtetasi I.F. dhe është kryer prenotimi për blerjen e kësaj pasurie për çmimin 6.7 milionë lekë. Ndërkohë, sipas SPAK, investimet janë kryer nga Beqaj. “Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë”, citohet në njoftimin e prokurorisë.
SPAK ka zbuluar se në shkurt të vitit 2020, Beqaj dhe bashkëshortja e tij kanë lidhur kontratë qeraje me shtetasin I.F. që përshkruhet në njoftim si “lidhje e ngushtë shoqërore e I.B dhe A.B(bashkëshortja e I.B)”. Pavarësisht kontratës së qirasë, SPAK pretendon se prej hetimit ka rezultuar se Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Këto të dhëna vlerësohet prej organit të akuzës së vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës. Po ashtu, kjo pasuri dhe shpenzimet e kryera nuk janë deklaruar sipas legjislacionit nmë fuqi nga Beqaj dhe personat e lidhur me të.
SPAK i ka kërkuar gjykatës vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për këtë apartament, që është pranuar nga ana gjykatës respektive.
Kur ishte ministër, Beqaj nënshkroi një sërë kontratash koncesionare kontroverse në sektorin e shëndetësisë, dy prej të cilave, ajo e sterilizimit dhe check-up-it janë nën hetim.
Beqaj i’a doli t’u shmangej përgjegjësive penale për vite me radhë për këto afera deri në mars 2024, kur SPAK përfundoi hetimet për kontratën e sterilizimit dhe i njoftoi akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe ndaj tij u vendos masa e sigurimit personal “detyrim paraqitje”. Megjithatë, ishin dyshimet për abuzime me fondet e BE-së që do të dërgonin pas hekurave ish-ministrin socialist. Beqaj u arrestua më 4 korrik me kërkesë të SPAK që e akuzon për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me disa procedura prokurimi të kryera nga SASPAC, si dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private në restorantin Gzona, si dhe përdorimin e një automjeti.