Uashington, 24 prill 2024 – Senati amerikan e ka kaluar të martën vonë një projektligj i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronari i saj – firma kineze ByteDance – nuk e shet atë brenda një viti.
I shtyrë nga shqetësimet e mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve, apo t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do ta nënshkruajë atë të mërkurën, për ta bërë ligj.
“Për shumë vite ne e kemi lejuar partinë komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohura në Amerikë”, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës.
“Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.
Beteja katërvjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm njëri prej shumë fronteve në luftën e internetit dhe teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekini.
Javën e kaluar, Apple tha se Pekini e kishte urdhëruar t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads, nga dyqani i saj i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.
TikTok-u pritet ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u thirrur në lirinë e shprehjes.
Unioni Amerikan i Lirive Civile ka thënë se ndalimi apo kërkesa për shitjen e TikTok-ut do ta vendoste “një precedent alarmues botëror për kontroll të gjerë qeveritar mbi platformat e rrjeteve sociale… Nëse Shtetet e Bashkuara e ndalojnë një platformë të huaj, kjo do nxisë masa të ngjashme në vendet e tjera.
TikTok-u, i cili ka thënë se nuk ka ndarë dhe nuk do të ndajë të dhëna të përdoruesve amerikanë me Qeverinë e Kinës, u ka thënë punëtorëve se do t’i drejtohet gjykatës në përpjekje për ta parandaluar këtë projektligj.
“Ky është fillimi, jo fundi i një procesi të gjatë”, i tha TikTok-u stafit të vet të shtunën në një email, sipas Reuters.
Më 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok-u.
Administrata Trump e ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane, Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare.
Por, shitja e atyre aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë.
(Radio Evropa e Lirë)