Senatori amerikan me ndikim John McCain ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Siri për t’u takuar me rebelët që po luftojnë në një konflikt dy-vjeçar për të larguar presidentin Bashar al-Asad.
Ndihmësit e senatorit McCain thonë se senatori kaloi nga Turqia për në Siri me komandantin e ushtrisë së lirë rebele siriane, gjeneralin Salam Idris, të hënën, dhe qëndroi në Siri për disa orë para se të kthehej në territorin turk.
Senatori McCain është një nga zërat kryesorë në Kongresin amerikan që po bën thirrje për ndihmë më të madhe amerikane për rebelët sirianë. Vizita e tij e shkurtër në Siri e bën atë një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë që kanë hyrë në atë vend që kur filloi lufta civile pas protestave paqësore në mars 2011.
Në një intervistë me blogun amerikan Daily Beast, gjeneral Idris tha se senatori McCain u takua me rebelët e Ushtrisë së Lirë siriane në të dyja anët e kufirit turko-sirian. Gjeneral Idris tha se rebelët kishin ardhur nga e gjithë Siria që të parë e takuar ligjvënësin e shquar amerikan.
BE, dakord për të ndihmuar me armë rebelët sirianë
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague thotë se Bashkimi Evropian prej 27 vendesh ra dakord për një ndryshim në embargon e armëve ndaj Sirisë për të lejuar armatosjen e rebelëve që përpiqen për përmbysjen e presidentin Bashar al-Asad.
Sekretari Hague e njoftoi marrëveshjen në Bruksel të hënën, në fund të negociatave të gjata që treguan një ndarje të brendshme rreth asaj se deri në çfarë mase duhet të mbështeten rebelët në Siri
Britania dhe Franca kanë qenë përkrahësit kryesore të armatosjes së rebelëve sirianë, ndërsa Austria dhe vende të tjera i kishin rezistuar një veprimi të tillë, nga frika kjo masë mund të përkeqësojë luftën civile në Siri.
Në një lëshim të dukshëm britanik ndaj Austrisë, sekretari Hague tha se Londra nuk ka plane të menjëhershme për t’u dërguar armë rebelëve, pasi embargoja e ndryshuar hynë në fuqi të shtunën. Ai tha se embargoja e tanishme e armëve ndaj qeverisë siriane do të mbetet në fuqi, ashtu si edhe sanksionet e tjera të BE-së kundër Damaskut. (VOA)