Uashington, 18 nëntor 2024 – Senatori amerikan Richard Blumenthal, nëpërmjet një letre dërguar sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, ka tërhequr vërejtjen për nevojën e mbrojtjes së Kosovës përballë rrezikut që vjen nga Serbia.
Senatori Blumenthal ka thënë se ambiciet ekspansioniste të Serbisë nuk janë zbehur asnjëherë, dhe këtë e ka argumentuar me sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar
Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për mundësinë që administrata e re e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, nuk do të angazhohet mjaftueshëm për ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur amerikan ndaj Rusisë.
“Duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur Trump ndaj Rusisë, kam frikë se administrata e re do të bëjë shumë pak për të inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës,” ka shkruar senatori nga Connecticut.
Senatori Blumenthal i ka bërë thirrje sekretarit Blinken që gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit në SHBA të ketë një fokus të veçantë ndaj Kosovës. Ai ka kërkuar qЍ Shtetet e Bashkuara të përdorin të gjitha instrumentet që i ka në dispozicion për të siguruar që Serbia të mbahet larg territorit të Kosovës.
“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet e përkushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për pranimin e Kosovës në OKB”, ka shkruar senatori Blumenthal.
Letra vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, duke përforcuar angazhimin e SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
(r.m.)