Ka ndërruar jetë sot Senatori Robert Dole (1923-2021), politikani i madh republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 1996.
Bob Dole ka qenë përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, mik i ngushtë i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.
Më 8 nëntor 2003, Presidenti Ibrahim Rugova e ka pasë emëruar Senatorin Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA. (Shih lajmin e QIK-ut, botuar te libri “Presidenti Rugova”, Presidenca e Kosovës, Prishtinë, 2007, f. 188).
Në një komunikim që kam pasur me zyrën e Senatorit Dole në gusht të vitit 2018, Bob Dole me shkruante: “Dr. Rugova was a dear friend and personal hero of mine”. [Dr. Rugova ka ka qenë mik imi i dashur dhe heroi im personal].
Duke punuar ngusht me Presidentin Rugova deri në frymën e Tij të fundit, kam pasur nderin të takohem disa herë me Senatorin Dole. Herën e fundit në vjeshtën e vitit 2004, kur Senatori erdhi në vizitë në Kosovë dhe përuruam, në shoqëri të prijësve Rugova dhe Dole, një rrugë me emrin e Robert Dole-it në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Kosova është e bekuar me miqt e vet, me Robert Dole-in e të tjerë në SHBA, republikanë e demokratë. ‘Kosova e integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të’ ka qenë motoja strategjike e Presidentit historik të Kosovës.
(Muhamet Hamiti ka qenë këshilltar për medie i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.)