Vendosmëria për tërheqjen nga Afganistani sipas një afati kohor dhe jo sipas kushteve në vend, ishte një nga arsyet se pse Senatori i njohur nuk e donte zyrtarin Anthony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.
Nga Ruben Avxhiu
Një fjalim nga Senatori i shquar i Amerikës, John McCain, në vitin 2014, po qarkullon në rrjetet sociale për shkak të kritikës së ashpër që i bën kandidaturës së Anthony Blinken për Zëvendës-Sekretar Shteti.
Blinken, i cili sot është Sekretar i Shtetit, është edhe ndër zyrtarët më të kritikuar për largimin e nxituar dhe të rrëmujshëm nga Afganistani.
Për ironi, një nga kritikat kryesore për të nga McCain, plot shtatë vjet më parë, kishte të bënte pikërisht me vendosmërinë e zyrtarit Blinken për të tërhequr trupat sa më shpejt nga Afganistani, sipas një kalendari të caktuar.
Në atë kohë, Presidenti Barack Obama po synonte tërheqjen e trupave nga Afganistani, një proces që vazhdoi me Presidentin Donald Trump dhe u mbyll me Presidentin Joseph Biden. Blinken, i cili në 2014, u propozua si numri 2 në Departamentin e Shtetit nga Presidenti Obama, ishte me sa duket mbështetës i fortë i tërheqjes.
Në fjalimin e mbajtur në Senat, (videoja në fund të shkrimit) McCain përsërit pikëpamjen e tij të njohur se SHBA duhej të linte një kontigjent të vogël sigurie në Afghanistan për të mos lejuar përsëritjen e skenarit në Irak, ku largimi i shpejtë amerikan krijoi një vakuum që u mbush nga ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë).
Senati voton për postet kryesore të kabinetit të Presidentit, dhe në fjalimin e tij, McCain thotë se nuk e ka zakon të mbajë fjalim kundër emërimeve të presidentëve. Sepse, shpjegon ai, “zgjedhjet kanë pasoja”, dmth ai president që merr votën e popullit ka të drejtë të zgjedhë njerëzit që do dhe politikat që beson.
Mirëpo, kur kishte ardhur puna për Anthony Blinken, McCain thotë se nuk mund të qendronte duarkryq. “Jo vetëm që nuk është i kualifikuar, por është në pikëpamjen time, një nga më të këqinjtë, në një seri emërimesh të këqia të këtij presidenti”.
Ai madje shtoi se “… ky individ ka qenë në fakt i rrezikshëm për Amerikën dhe për djemtë e vajzat tona me uniformë që shërbejnë e luftojnë nëpër botë”.
Duke cituar fjali nga Blinken, ai u ndal sidomos te Afganistani. Blinken kishte thënë: “Kemi qenë të qartë. Kemi qenë konsistentë. Lufta do të mbarojë nga fundi i 2014-ës. Kemi një afat kohor dhe ky afat kohor nuk do të ndryshojë”.
Për fjali të tilla, tha McCain, Blinken nuk është njeriu i duhur për këtë pozitë. “Sepse nëse ata vërtet i përmbahen atij afati kohor, po ua them kolegëve të mi [në Senatin Amerikan] do të kemi një përsëritje të Irakut nga e para. Duhet të lëmë një forcë të vogël stabilizuese prej disa mijëra vetësh ose do të shohim edhe një herë atë që pamë në Irak”.
Sekretarët Austin (i Mbrojtjes) dhe Blinken kanë qenë në qendër të kritikave këto ditë, së bashku me Presidentin Biden për rrëzimin e menjëhershëm të shtetit në Afganistan, pas largimit të trupave amerikane. Dështimi i shtetit dhe dorëzimi i ushtrisë janë pasoja që rëndojnë mbi të gjitha administratat amerikane që nga ajo e Presidentit W Bush, por Biden, Blinken e të tjerë janë shprehur shumë herë në javët e fundit se Afganistani do të qendrojë në këmbë edhe pas largimit amerikan.
Jo vetëm që talebanët e ripushtuan vendin me një shpejtësi rrufe, por amerikanët vetë u detyruan të kthejnë pas mijëra ushtarë të tyre për të siguruar largimin e stafit të ambasadës, nënshtetas të tyre dhe një numër të vogël ish-bashkëpunëtorësh e të punësuarish që kanë shërbyer bashkë me ta në vend.
Për ata që kritikojnë Blinken, ky fjalim nga McCain po qarkullon si një akt profetik. Një lloj dëshmie që tregon se një ide e keqe që u shmang në 2014 u rikthye e zbatua gjithësesi në ditët tona me pikërisht ato pasoja që ishin paralajmëruar në atë kohë.