Senatorja Shaheen: SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën siç e ka mbështetur me vite

Prishtinë, 13 tetor 2023 – “jemi këtu për ta mbështetur Kosovën, shtet që SHBA-ja e ka mbështetur me krenari ndër vite. Ne kemi vlera të njëjta dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah jush”, deklaroi senatorja amerikan Jeanne Shaheen, të premten në Prishtinë.

Senatorja nga Nju Hampshir Jeanne Shaheen, bashkë me senatorin nga Vermonti, Peter Welch, u takuan në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me Kryeministrin Albin Kurt.

Senatorja Shaheen shprehu shqetësimet për situatën në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës dhe shfaqi shpresën se Serbia do të bashkëpunojë për hetimin e kësaj ngjarjeje dhe se përgjegjësit do të sillen para drejtësisë.

“Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari. Shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë çështje”, u shpreh ajo.

Senatorja Shaheen tha se SHBA-ja do të mbështesë me gjithë çfarë mundet për të parandaluar eskalimin e dhunës dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore të qëndrueshme.

“Populli i Kosovës e kupton mirë përse konfliktet dhe dhuna nuk janë zgjidhje për dallimet tona. Është e rëndësishme që të gjithë të bëjmë krejt çka mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon, për t’u siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës dhe konfliktit nga ky rajon”, tha ajo.

Senatorja Shaheen tha se për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë duhet vazhduar përpjekjet për një marrëveeshje paqësore afatgjatë me Serbinë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani tha se në fokus të takimit me senatorët Shahen dhe Welch ishte pikërisht sulmi i formacionit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, të cilin ajo e quajti si akt terrorist të organizuar nga Serbia.

“Takimi ynë u përqendruan në zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti në aktin terrorist të organizuar e të sponsorizuar nga Serbia. Senatorët i informova për rrjedhjen e ngjarjeve, për faktet dhe për hapat që po ndërmerren. Po ashtu edhe për sfidat pas këtij agresioni”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se ky sulm kishte qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit dhe theksoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë akt.

“Serbia jo vetëm që nuk distancohet, por ka vendosur që atyre t’u japë mbështetje. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse dhe terroristët duhet t’i dorëzohen Kosovës. Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë bashkë me aleatët amerikanë dhe me të gjithë të tjerët”, u shpreh ajo.

Edhe Kryeministri Albin Kurti, tha se temë qendrore e takimit me senatorët Shaheen dhe Welch ka qenë sulmi i formacionit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës.

“Siguria në Kosovë ishte tema kryesore e bisedës sonë. Senatorëve ua prezantova të dhënat më të reja për sulmin e 24 shtatorit”, tha ai.

Kurti tha se ka prova për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe për objektivat se saj.

“Kemi dëshmi se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmeve të koordinuara, përmes krijimit të një korridori për furnizim të armëve të veriut të Kosovës”, tha ai.

Kurti tha se tani dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të merren hapa që dialogu të ketë edhe një shans që të ketë sukses. Është më urgjente se kurrë më parë që Serbia të heqë fjalinë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, theksoi Kurti.

This image has an empty alt attribute; its file name is Jeanne-Shaheen-Vjosa-Osmani-e-Peter-Welch.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Jeanne-Shaheen-e-Vjosa-Osmani.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Albin-Kurti-e-Jeanne-Shaheen.jpg

(r.m.)