Serbët bëjnë homazhe për tre terroristët që u vranë në Banjskë

Prishtinë, 26 shtator 2023 – Qytetarët serbë në pjesën veriore të Kosovës kanë ndezur qirinj në nderim të tre pjesëtarëve të grupit terrorist të cilët u vranë në Banjskë gjatë përleshjes së armatosur me Policinë e Kosovës.

Qindra serbë janë grumbulluar në sheshin “Mbreti Llazar” në Mitrovicën Veriore, në Zveçan dhe në Leposaviq për të ndezur qirinj para fotografive të tre të vrarëve, ndonëse identiteti i tyre nuk është publikuar ende nga askush.

Në tryezat ku po ndizen qirinj janë vendosur fotot e N.S. nga Zveçani dhe B.M.e I.M. nga Leposaviqi.

Në Sheshin “Mbreti Llazar” në Mitrovicsën Veriore, në mesin e qytetarëve që i kanë nderuar tre pjesëtarët e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës kanë qenë edhe udhëheqësit e Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Për nder të këtyre tre terroristëve të vrarë në Banjskë, Qeveria e Serbisë e ka shpallur ditën e mërkurë ditë zie në Serbi, ndërsa Lista Serbe i ka shpallur tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

(r.m.)