Sarajevë, 5 dhjetor 2024 – Ministrat nga Republika Sërpska (RS) nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës (BeH) që mbahet të enjten, më 5 dhjetor,, për shkak të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Sarajevë.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Stasha Kosharac, tha se vendimi për bojkotimin e mbledhjes është marrë pas konsultimeve në kabinetin e tij, ku kanë marrrë pjesë ministri i Financave, Sërxhan Amixhiq, zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, zëvendësministrja e Çështjeve Civile, Marijana Mujiq dhe zëvendësministri i Komunikacionit dhe Transportit, Ognjen Janjiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbërrijë në Sarajevë të enjten në mbrëmje, me ftesë të organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. Të premten, më 6 dhjetor, ai do të marrë pjesë dhe do ta mbajë fjalën hyrëse në një sesion të kësaj organizate ku do të diskutohet për marrëdhëniet në rajon.
Presidenti i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, e ka cilësuar vizitën e Kurtit në Sarajevë “provokim i hapur dhe fyerje për të gjithë serbët”.
Ai ka paralajmëruar se Republika Sërpska “nuk do të heshtë ndaj këtyre provokimeve dhe gjithnjë do të mbrojë dinjitetin e popullit serb”.
(r.m.)