Serbët në veri e kundërshtojnë reciprocitetin, e bllokojnë rrugën në Jarinje

Prishtinë, 20 shtator 2021 – Pika kufitare në Jarinje është bllokuar me kamionë nga grupe serbësh që po protestojnë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Policia e Kosovës po u kërkon ta lirojnë rrugën dhe të rinisë qarkullimi i automjeteve në të dyja drejtimet.

Por, sipas medieve serbe, protestuesit serb poshprehin kështu revoltën e tyre kundër pranisë së pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.  Madje, sipas këtyre medieve, rruga është bllokuar nga pjesëtarët e policisë  së Kosovës dhe jo nga qytetarët serbë.

“Qytetarët thonë se ata erdhën për të shprehur në mënyrë paqësore pakënaqësinë e tyre dhe se ishin njësitë e ROSU që ishin të parët që bllokuan rrugën dhe i trembën qytetarët përgjatë gjithë rrugës për në Mitrovicë, me armë të gjata”, shkruajnë mediet serbe.

Në Jarinje kanë shkuar edhe drejtues të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe. 

Igor Simiq nga kjo parti e ka cilësuar vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin si provokim për serbët.

“Ne i bëjmë thirrje qytetarëve tanë të jenë të përmbajtur dhe të mos bien pre e provokimeve, sepse ky është një provokim i Prishtinës, ne supozojmë se serbët do të kufizoheshin në lirinë e tyre të lëvizjes duke ia konfiskuar targat nga Serbia”, deklaroi Simiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët po protestojnë kundër reciprocitetit me targat për shkak se kanë nevojë të udhëtojnë për familjhet e tyre. Ai ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje për këta qytetarë.

(r.m.)