Serbët në veri protestojnë kundër pranisë së njësive speciale të Policisë së Kosovës

Prishtinë, 12 prill 2023 – Disa dhjetëra pjesëtarë të komunitetit serb, përmes një proteste, kërkuan kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunatme shumicë serbe.

Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

Në atë vend, ku është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës, më 10 prill ka ndodhur një incident me armë, në të cilin ka mbetur i plagosur një qytetar serb, me iniciale M.J.

Të tubuarit mbanin parullat “Evropa po shtien mbi ne”, “Nuk e keni vendin këtu”, “Stefan, Millosh, Milan, Millan, kush është në radhë?”.

Nga protesta serbët e kanë iniciuar edhe nënshkrimin e një peticioni për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e Beogradit, më herët ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, që është edhe një nga kushtet e tyre për t’u kthyer në institucionet e Kosovës.

Marshe protestuese të serbëve lokalë janë paralajmëruar edhe për ditët në vijim.

Policia e Kosovës, e cila fillimisht e mohoi përfshirjen e pjesëtarëve të saj në incident, i suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në këtë incident.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetimet e para kanë treguar se policët kanë shtënë në drejtim të veturës së M.J., pasi ai nuk e ka respektuar sinjalin e policisë për ndalim.

Sveçla ka bërë të ditur se, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor dhe të Prokurorit të  Shtetit, katër zyrtarët e policisë që ishin përfshirë në incident,  janë janë arrestuar dhe atyre u është caktuar masa e sigurisë ndalim për 48 orë.

Kosova vendosi forca shtesë të  policisë në pjesën veriore të vendit, pasi serbët i braktisën institucionet e Kosovës, përfshirë edhe policinë. Forcat shtesë që u dërguan atje përbëhen kryesisht nga policë të komunitetit shqiptar.

(r.m.)