Serbët në veri shtrojnë kushte shtesë për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Prishtinë, 12 korrik 2023 – Tërheqja e të gjithë pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, kthimi i serbëve në polici dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja – këto janë hapat që Slavisha nga Zubin Potoku i sheh si zgjidhje për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

“Të kthehen policët tanë… do të thotë, që ne të kthehemi në punë në [sistemin] e Kosovë. Përderisa janë këtu, do të jetë e vështirë”, thotë ky i intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Me të pajtohen Miroslavi dhe Nemanja nga Zubin Potoku, të cilët shtojnë se serbët nga veriu duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Danijela nga Mitrovica e Veriut, e sheh zgjidhen e krizës në veri si një proces gradual. Ajo beson se serbët, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të tërhiqen nga protestat para komunave.

“Se çfarë mund të shkojë keq në ndërkohë, nuk jam e sigurt, por evidente është se nuk do të ketë tërheqje të plotë të njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe para komunave, gjë që në fakt nuk e përmbushë plotësisht kërkesën e serbëve”, deklaron ajo.

Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

A e pranon Lista Serbe marrëveshjen?

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kjo marrëveshje është e pranueshme për ta dhe nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale.

Nga kjo parti më herët kanë thënë se do të marrin pjesë në zgjedhje vetëm nëse Policia e Kosovës tërhiqet nga veriu, nëse amnistohen të arrestuarit, të cilët autoritetet e Kosovës i akuzojnë për dhunë gjatë protestave, si dhe nëse fillon formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “individë nga Perëndimi po përpiqen të zbatojnë një truk tjetër”.

Formimi i opsioneve të reja politike si konkurrencë e Listës Serbe?

Dejan Nedelkoviq, aktivist politik nga Mitrovica e Veriut, thotë se ka informacione se lëvizjet opozitare dhe iniciativat qytetare do të marrin pjesë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht nga vendimi i Listës Serbe.

Ai po ashtu thotë se së bashku me bashkëmendimtarët e tij, do të themelojnë një iniciativë të re qytetare, me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhje, por me kusht që në to të marrë pjesë Lista Serbe.

“Mendojmë se një pjesë e mirë e kushteve [të serbët nga veriu] nuk janë plotësuar dhe nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje, por nëse Lista Serbe shkon në zgjedhje, do të dalim edhe me iniciativë të re qytetare”, thotë Nedelkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai konsideron se Lista Serbe po e humb mbështetjen e popullit dhe se e ka “humbur legjitimitetin”, pas tërheqjes nga barrikadat e vitit të kaluar.

“Kjo ka mundur të shihet në protestat e fundit, kur u arrestuan serbët nga veriu, kur u sulmua [kryetari i Listës Serbe] Goran Rakiq… Populli në veri është çliruar mjaft, në shprehje, në rrugë, mund të dëgjohet një zë tjetër”, thotë ai.

Lista Serbe, e cila u formua në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, deri vitin e kaluar kishte pushtetin absolut në mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

Pothuajse në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale, ajo fitoi mbi 90 për qind të votave. Megjithatë, raporti i Misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, nga viti 2021, tregon se “Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike në bashkësitë serbe të Kosovës”, si dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit të ushtruar nga ana e kandidatëve dhe aktivistët e kësaj partie.

Për çfarë saktësisht është arritur pajtimi?

Tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua ashpër nga banorët lokalë serbë, të cilët protestuan çdo ditë, me kërkesë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe kryetarët të mos shkojnë në objektet komunale.

Serbët bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale në prill dhe tani nuk i pranojnë rezultatet.

Në seancën e Qeverisë së Kosovës, më 12 korrik, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij publikisht mbështet zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen pas stinës verës.

“Për ne, si Qeveri e Kosovës, ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës, kudo që ata janë, pa dallim, të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por, për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti, i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votës”, tha Kurti.

Megjithatë, para zgjedhjeve, një pjesë e policëve duhet të tërhiqen nga ndërtesat komunale dhe rreth tyre, në veri të Kosovës.

“Pra, 25 për qind e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të1 vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”, deklaroi Kurti.

(REL)